0030 210 33 18 483

Vonesat në dhënien e nënshtetësisë, deputetja e PASOK-ut kërkon interpelancë me ministrin e brendshëm

Tribuna TV 19 Prill 2018

Mundet që bashkatdhetarët tanë në gjithë Greqinë, ashtu si dhe lexuesit tanë në komentet e tyre, të ankohen për vonesat tashmë proverbiale në procesin e dhënies së nënshtetësisë. Edhe pse vetë qeveria greke, nëpërmjet ministrit të brendshëm, e ka pranuar se ky është një problem mjaft i madh që duhet korrigjuar, rezultatet ende janë të pakta. Pavarësisht se -për hir të së vërtetës- duhet thënë që ka një përpjekje që kjo situatë negative të ndryshojë.

Për fat të mirë, ky shqetësim nuk konsumohet vetëm brenda për brenda emigrantëve. Por “prek” gjithnjë e më shumë segmente të shoqërisë dhe të politikës greke. Ndër to edhe socialistët e PASOK-ut, që rrudhja e numrit të votave, megjithatë ia ka shtuar më shumë ndjeshmërinë ndaj çështjeve të emigracionit. Ndoshta në shenjë autokritike që nuk bënë aq sa duhej për emigrantët atëherë kur ndodheshin në mënyrë konstante në pusht 9dhe nuk e kemi fjalën vetëm për periudhën 2009-2011...).

Deputetja e PASOK-ut, Efi Hristofilopoulou, ka kërkuar interpelancë me ministrin e brendshëm Panos Skourletis, pikërisht për një nga temat më të mprehta që preokupojnë qindra e qindra emigrantë e më së pari, shqiptarë: Dhënien e nënshtetësisë dhe vonesat që vërehen në këtë proces.

Në tekstin që shoqëron kërkesën për interpelancë, deputetja Hristofilopoulou shkruan:

“Në konferencën për shtyp të ministrisë së brendshme më 6 mars 2018, u shpallën ndryshime në procedurën e dhënies së nënshtetësisë greke qytetarëve të huaj. Me shkakun e këtyre vendimeve, ditët e fundit pati publikime që u referoheshin në mënyrë ofenduese bashkëqyetarëve tanë emigrantë dhe që i inkuadronin në një plan qeveritar që ka për objektiv tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme në favor të qeverisë.

Procedura e natyralizimit (politografisi) u përmirësua me ligjin 3838/10, ndërsa problemet që u krijuan në vazhdim në lidhje me aksesin e brezit të dytë te nënshtetësia, u korrigjuan pjesërisht me ligjin 4332/15.

Ministria e brendshme, pas votimit të ligjit 4332/15, ka sjellë në parlament një sërë amendamentesh për çështjet e nënshtetësisë. Megjithatë, nuk janë gjetur apo propozuar zgjidhje për problemin bazik, që është përfundimi i procedurave përkatëse brenda afateve kohore që përcakton ligji. Madje, sipas denoncimeve të vetë emigrantëve, një pjesë e vonesës ka të bëjë me vetë shërbimin qendror në ministrinë e brendshme, përderisa nevojiten muaj e muaj për nënshkrimin nga ministri të vendimeve përkatëse të administratave të decentralizuara dhe publikimin e tyre në Gazetën Zyrtare.

Megjithëse aplikuesit paguajnë një tarifë (paravolo) prej 700 eurosh me paraqitjen e aplikimit për natyralizim, është e qartë se këto të ardhura nuk shfrytëzohen. Përkundrazi, shërbimet e administratës së decentralizuar, që janë kompetente për shqyrtimin e kërkesave janë lënë në mëshirë të fatit, pa fonde dhe me personelin që reduktohet vazhdimisht, përderisa për shkak të klimës së përgjithshme të pasigurisë, punonjësit largohen.

Në rastin e aplikimeve që ishin bërë para hyrjes në fuqi të ligjit 3838/10 (që mbeten ende në kompetencë të shërbimit qendror në ministrinë e brendshme), vonesat kanë tejkaluar çdo afat normal, pasi më të hershmet prej tyre ishin paraqitur në fillim të vitit 2010, ndërsa aplikantët kishin paguar paravolo prej 1.500 eurosh.

Në fund, shprehet shqetësimi mbi zbatimin e dispozitave për nënshtetësinë e brezit të dytë, ku vonesat janë gjithashtu të mëdha, me rezultat humbjen e shanseve për punësim dhe arsimim në një periudhë shumë kritike për progresin e tyre vetiak. Veç kësaj, një pjesë e madhe e përfituesve të mundshëm nuk kanë arritur të depozitojnë aplikimin përkatës, dhe rrezikojnë (ata dhe ato që tashmë janë në moshë të rritur) të humbasin të drejtën e përfshirjes në dispozitat përkatëse, përderisa pas rreth tre muajsh mbaron afati i atyre dispozitave.

Pas gjithë këtyre ju pyesim:

1. Sa aplikime për natyralizim, që janë depozituar para hyrjes në fuqi të ligjit 3838/10 kanë mbetur ende pa u shqyrtuar në shërbimin qendror të ministrisë së brendshme dhe çfarë objektivi keni vënë për të përfunduar shqyrtimin e tyre? Çfarë masash keni marrë në këtë drejtim?

2. Cili është afati mesatar që nevojitet nga ana e ministrisë së brendshme për finalizimin e vendimeve për natyralizim të administratave të decentralizuara, nga marrja në dorëzim dhe deri në publikimin në Gazetën Zyrtare?

3. Sa kohë duhet të presin aplikantët për natyralizim për çdonjërin shërbim të administratës së decentralizuar deri në kryerjen e intervistës që kërkon ligji? Cili është numri i punonjësve aktivë për çdo shërbim? Cili është numri i aplikimeve për çdo kategori që janë depozituar në këto shërbime që nga hyrja në fuqi e ligjit 3838/10, sa janë finalizuar deri më sot dhe cila është përqindja e vendimeve pozitive?

4. Cilat masa konkrete keni ndërmend të merrni për të përshpejtuar zbatimin e dispozitave për brezin e dytë dhe evitimin e humbjes së të drejtës për shkak të skadimit të periudhës tranzicionale të ligjit 4332/15?

5. Konkretisht, cilat masa administrative keni ndërmend të merrni me qëllim që të finalizohen procedurat për nënshtetësinë, brenda afateve që përcakton ligji?

Dhe një vërejtje për fund...

Siç na thotë Vasilis Hronopoulos, nga seksioni i të drejtave të njeriut në PASOK, “kërkesa për interpelancë bëhet në një kohë që qeveria dhe konservatorët kanë nisur një “luftë” për temën e nënshtetësisë. Nëse ministri u përgjigjet pyetjeve që i shtrohen, do të dëshmohet se debati (qeveri-konservatorë) bëhet pa pasur një objekt, dhe se ata që kanë të drejtë të protestojnë janë ata që kanë paraqitur kërkesë për nënshtetësi, ose me natyralizim, ose si pjesëtarë të të ashtuquajturit “brezi i dytë”. 
 

Ndaje me miqte