0030 210 33 18 483

Vrau 8 të afërmit e tij, arrestohet autori i masakrës

11 Gusht 2018

Ka përfunduar pas 12 orëve arratia e autorit të masakrës në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë.

Ridvan Zykaj, autori i vrasjes së 8 pjesëtarëve të fisit të tij, mes tyre tre gra dhe 2 fëmijë, u arrestua mëngjesin e sotëm (11 gusht) në një zonë periferike në dalje të Selenicës.

Policia informon se autori nuk ka bërë rezistencë gjatë momentin të arrestimit.

Policia ka sekuestruar edhe armën e krimit të rëndë, një kallashnikov si dhe telefonin me të cilin komunikonte edhe gjatë kohës që ishte në arrati.

Njoftimi i policise: Si rezultat i punës së mirëorganizuar, krehjes së territorit, kontrolleve të shumta dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës edhe me anë të qenit gjurmes, të përdorur nga ana e strukturave Policore të DVP Vlorë, RENEA, FNSH dhe Delta Forcë, u bë e mundur kapja e autorit të krimit  Ridvan Zykaj në një zonë periferike në dalje të Selenicës.  Gjithashtu u sekuestrua edhe arma e krimit, një kallashnikov. Autori është shoqëruar në DVP Vlorë, për veprimet e mëtejshme.

Mbi 24 vjeçarin rëndon akuza ''Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave'', parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal. Materialet hetimore i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Ngjarja

Pasditen e 10 gushtit 2018 Ridvan Zykaj ka shkuar i armatosur, fillimisht në banesën e Demir Zykës, vëllait të gjyshit të tij.

Aty ka vrarë Demir Zykaj 75 vjeç dhe gruan e tij, Perie Zykaj 72 vjeç. Më pas ka shkuar në banesën e Besimit (djali i Demirit) . Aty ka vrarë Besimin dhe bashkëshorten e tij, Vasilika dhe dy fëmijët, Sarën, 16 vjeçe dhe Ledionin 8 vjeç.

Kur kanë dëgjuar britma e të shtëna Azemi (vëllai tjetër i Besimit dhe djali i Demirit)  dhe Afërdita, (e shoqja e Azemit) kanë shkuar në banesën e Besimit për të parë se çfarë kishte ndodhur.

 Aty janë ekzekutuar dhe ata të dy.  Tre viktima janë gjetur të vrarë në oborr, ndërsa të tjerët janë gjetur brenda në banesa.

Ndaje me miqte