Vuçiç: Nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës - kërkojmë kompromis
Zëri i Amerikës
10 Shtator 2018
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha sot në Mitrovicë se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkon kompromis, që sipas tij nënkupton se askush nuk mund të fitojë gjithçka.
Ai i bëri këto komente në një fjalim në pjesën veriore të Mitrovicës, në përmbyllje të vizitës dyditëshe në Kosovë. Ai tha se nuk janë punë e tij "mitet, ëndrrat apo përfytyrimet apo vizionet e çmendura të Kosovës pa shqiptarë apo çka është me e rëndë, Kosovës pa serbë". Prandaj u tha ai qytetarëve të mbledhur në "nuk do të premtoj armë e municione edhe pse është e qartë se nuk do t'i lejojmë akujt të përdorë armë dhe municione kundër jush".
Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet për një marrëveshje me shqiptarët në Kosovë, ndërsa hodhi poshtë pohimet se tashmë ka një projekt për një marrëveshje të tillë.
"Kur ju thonë se dua të ndryshoj kufijtë, nuk ua thonë të vërtetën sepse ku janë kufijtë sot? Ne mendojmë një gjë, shqiptarët që janë më të numër dhe më të fuqishëm në Kosovë mendojnë ndryshe. Një pjesë e botës mendon një gjë, pjesa tjetër një gjë tjetër", tha ai duke nënvizuar se synon të ndryshojë të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë.
"Për ata që me ditë, javë e muaj përdorin gënjeshtrën se dikush është bërë gati dhe do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës deri në vitin e ri, është gënjeshtër e plotë dhe askujt nuk i bie ndërmend një gjë e tillë".
Ai u tha të tubuarve se Serbia duhet të vlerësojë situatën në botë, duke përkujtuar si një udhëheqës të madh ish presidentin serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. Ai tha se dëshirat e pararendësit të tij ishin joreale dhe Serbia nuk e kishte kuptuar se nuk ishte e vetme ne botë dhe pa botën nuk mundet dhe prandaj ka paguar çmim të lartë.
Nuk lejohet vizita e presidentit serb në Drenicë
Grupe qytetarësh nga komuna e Skenderajt në Kosovën qendrore, bllokuan të dielën në mëngjes rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, që banohet nga qytetarë të komunitetit serb, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në atë fshat.
Në protestën e sotme u tha se presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Presidenti serb u tha gazetarëve në mëngjes se do të provojë të shkojë në fshatin Banjë përmes rrugëve anësore. Por, policia e Kosovës që siguron vizitën e tij, e ndaloi atë meqë autoritetet në Prishtinë vendosën pas protestave të tërheqin lejen për vizitën në këtë fshat.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se "siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë".
Ndaje me miqte