YouTube ndalon kanalet RT dhe Sputnik në Europë
ATSH
01 Mars 2022
BERLIN, 1 mars /ATSH-DPA/ – Kanalet ruse të lajmeve RT dhe Sputnik nuk do të jenë më të disponueshme në YouTube në Evropë si përgjigje ndaj sulmit rus ndaj Ukrainës, njoftoi shërbimi i ndarjes së videove.
“Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, ne po bllokojmë kanalet e YouTube të lidhura me RT dhe Sputnik në të gjithë Evropën, duke hyrë në fuqi menjëherë”, thuhet në deklaratë.
“Do të duhet kohë që sistemet tona të aktivizohen plotësisht. Ekipet tona vazhdojnë të monitorojnë situatën gjatë gjithë kohës për të vepruar shpejt”, thuhet në deklaratë.
YouTube kishte bllokuar tashmë versionin në gjuhën gjermane të RT në shtator duke përmendur shpërndarjen e përsëritur të dezinformatave në lidhje me pandeminë e koronavirusit, si një shkelje e politikave të platformës.
RT dhe Sputnik akuzohen rregullisht në Perëndim se kanë vepruar si mjete propagandistike për Kremlinin duke dërguar teori konspirative dhe dezinformata, disa prej të cilave janë përdorur për të justifikuar pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës.
Edhe Netflix bëri të njëjtën gjë duke bllokuar transmetimet.
Ndaje me miqte