Zëdhënësi i Metës: Mocioni për shkarkimin e presidentit, do marrë përgjigje nga qytetarët
ATSH
15 Qershor 2019
TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Presidenca ka reguar sot në lidhje me mbledhjen e firmave për nisjen e procedurës së shkarkimit të presidentit Ilir Meta në Kuvend. Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi tha sot se Ilir Meta është zgjedhur president nga parlamenti plotësisht legjitim.
“Ilir Meta është zgjedhur President nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Nga momenti që ai është betuar me dorën mbi Kushtetutë i përket vetëm Republikës. Mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë”, tha në reagimin e tij zëdhënësi i presidentit.
Të enjten e kësaj jave u miratua në Parlament me 100 vota një rezolutë kundër vendimit të Metës për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. Ndërkohë, pritet të zyrtarizohet edhe kërkesa për shkarkimin e Metës me mbledhjen e 55 firmave të deputetëve.
Ndaje me miqte