Zëri i Amerikës mbi refuzimin e presidentit Meta për ministrin e ri të Jashtëm
Zëri i Amerikës
10 Janar 2019
Në Shqipëri presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka refuzuar emërimin e zotit Gent Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm, i propozuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër të ndryshimeve të thella në qeveri të ndërmarra në fund të dhjetorit, me largimin e më shumë se gjysmës së anëtarëve të kabinetit të tij.
Në një përgjigje të gjatë kthyer kryeministrit, presidenti Meta shprehet se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”. Zoti Cakaj, vetëm 28 vjeç, nga Kosova, ka qenë për një periudhë këshilltar i Kryeministrit dhe prej 7 muajsh zëvendësministër i Jashtëm, i ngarkuar për procesin e integrimit europian.
Kreu i Shtetit ndalet gjerësit në dy argumenta konkret që sipas tij e bëjnë të papranueshme kandidaturën. Ai shprehet se që nga momenti i emërimit të tij në postin e zëvendës ministrit të Jashtëm, zotit Gent Cakaj “i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë”, por ai e ka shmangur këtë detyrim. “Nga informacioni zyrtar i administruar nga ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme , nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se zoti Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”, shkruan zoti Meta. Sipas Kreut të Shtetit “zoti Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor”.
Zoti Meta vijon më tej duke nënvizuar se “shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.
Zoti Caka rezulton të ketë aplikuar për certifikatën e sigurisë vetëm më 3 Janar, dhe e ka marrë atë brenda 24 orësh, gjë që sipas Presidentit të Republikës “tregon qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit”.
Një tjetër aspekt i kundërshtuar nga presidenti Meta janë dhe disa qëndrime publike të mbajtura nga zëvendës ministri i Jashtëm. “Zoti Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”, shprehet zoti Meta duke ju referuar konkretisht disa deklaratave të tij lidhur me idetë për shkëmbimin e territorreve apo korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës gjatë një emisioni televiziv. Sipas zotit Cakaj, një ide e tillë “po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai gjatë intervistës.
Për Kreun e Shtetit shqiptar “këto deklarata të rrezikshme të zotit Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian”.
Ndërsa vë në dukje rëndësinë dhe rolin e ministrisë së Jashtme shqiptare përballë disa sfidave të afërta të diplomacisë si në kuadër të presidencës së ardhshme të OSBE-së ashtu dhe në pritje të vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, zoti Meta e mbyll letrën e tij dërguar kryeministrit duke u shprehur se “kandidatura e zotit Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.
Ndërsa ka refuzuar dekretimin e ministrit të ri, presidenti Meta nuk ka firmosur ende shkarkimin e ministrit aktual Ditmir Bushati, i cili për pasojë vijon të mbetet zyrtarisht në detyrë.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama. Përmes një postimi në Twitter, ai përdori tone të ashpra ndaj vendimit të presidentit duke e konsideruar “jo vetëm antikushtetues, po edhe të turpshëm. Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin”, shkruan zoti Rama, duke e mbyllur me një “ndjesë Kosovës për këtë turp”.
Nuk ka vonuar kundërpërgjigja e presidentit Meta i cili ndalet vetëm te qëndrimi ndaj çështjes së Kosovës dhe raporteve më Serbinë. “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë, deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, shkruan zoti Meta në Twitter.
Ndaje me miqte