0030 210 33 18 483

Zelenskyy në Parlamentin Evropian: “Dëshmoni që jeni me ne”

Zëri i Amerikës 01 Mars 2022

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i kërkoi Bashkimit Evropian. përmes një video-fjalimi në një seancë urgjente të Parlamentit Evropian, të "dëshmojë se është me Ukrainën” në luftën e saj me Rusinë, një ditë pasi Kievi kërkoi zyrtarisht të bashkohet me bllokun.

Ligjvënësit evropianë, shumë prej të cilëve të veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës e pritën më duartrokitje të gjata fjalimin e presidentit të Ukrainës.

“Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini vetëm. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën”, tha presidenti Zelenskyy

Udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian dënuan agresionin e Rusisë dhe u zotuan për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës, përfshirë edhe diskutimin e kërkesës së saj për integrim, ndonëse kjo është një rrugë e gjatë thanë ata.

"Para pak çastesh, presidenti Zelenskyy. na shikoi në sy. Ai hapi zemrën e tij dhe e bwri një njoftim të cilin tani e kemi marrë zyrtarisht: kërkesën që Bashkimi Evropian të njohë zyrtarisht se Ukraina është një vend kandidat. Do të na takojw neve si Bashkimi Evropian të veprojmë në përputhje me kohën. Do të jetë e vështirë, ne e dimë se ka pikëpamje të ndryshme në Evropë. Ka pikëpamje të ndryshme për këtë temë dhe do të jetë në dorën e Komisionit Evropian që të të nxjerrë një opinion mbi bazën e të cilit Këshilli do të marrë përgjegjësitë e tij. Këshilli do të duhet të shikojë seriozisht disa kërkesa simbolike politike dhe legjitime që janë bërë”, tha presidenti i Kwshillit Evropian, Charles Michel, duke theksuar se nuk wshtw vetëm Ukraina nwn sulm.

“E drejta ndërkombëtare, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, demokracia, dinjiteti njerëzor janë gjithashtu nën sulm. Ky është terrorizëm gjeopolitik, i pastër dhe i thjeshtë. Ne duhet të mbështesim Ukrainën. Ne duhet të mbrojmë paqen. Ne duhet të mbrojmë demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha zoti Michel.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mënyra se si perëndimi i kundërvihet asaj që po bën Rusia do të përcaktojë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar.

”Burra, gra, fëmijë po vdesin edhe një herë sepse një udhëheqës i huaj, Presidenti Putin, vendosi që vendi i tyre, Ukraina, nuk ka të drejtë të ekzistojë. Dhe ne kurrë, kurrë nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë dhe kurrë, kurrë nuk do ta pranojmë atë", tha ajo.

Bashkimi Evropian iu bashkua sanksioneve amerikane dhe aleatëve të tjerë perëndimorë dhe për herë të parë në historinë e tij, vendosi të bleje dhe të dërgojë armë dhe pajisje ushtarake për të mbështetur Ukrainën.

“Tani do të shtojmë të paktën edhe 500 milionë euro nga buxheti i Bashkimit Evropian për të përballur pasojat humanitare të kësaj lufte tragjike në Ukrainë dhe kujdesin për refugjatët", tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ndaje me miqte