Zemërim i pamatë i 150 000 kazakëve, pas 10 ditëve pa energji në -30°C
ATSH
11 Dhjetor 2022
ASTANA, /ATSH-AFP/ – Në Kazakistan, kalvari i një qyteti që mbeti pa ngrohje për më shumë se një javë në temperaturat që ranë në -30°C, ndezi një valë zemërimi dhe nxori në pah gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës energjetike që daton nga epoka sovjetike.
”Zbritja në ferr” e Ekibastuzit, një qytet me rreth 150 000 banorë në veri të këtij vendi të Azisë Qendrore, ilustron pasojat që mund të kenë ndërprerjet masive të energjisë në mes të dimrit, kur disa vende evropiane kanë frikë nga mungesa e energjisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Imazhet e transmetuara nga media kazake treguan stalaktite që formoheshin në apartamente, ndërsa banorët e ftohtë digjnin atë që gjenin në rrugë për t’u ngrohur në të ftohtin e acartë.
Ekipet e punëtorëve punonin ditë e natë për të riparuar tubat që kishin plasur nga ngrica, por edhe për të parandaluar ngrirjen e përmbajtjes së tyre.
Autoritetet shpallën të enjten fundin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ishte dekretuar më 28 nëntor, një ditë pas një mosfunksionimi në një termocentral që privoi disa zona nga energjia elektrike dhe ngrohja.
Nëse situata po përmirësohet gradualisht, kalvari i Ekibastuzit, i cili ishte gjatë terrorit stalinist një kamp i madh pune, ku u burgos shkrimtari i famshëm dhe disidenti sovjetik Alexander Solzhenitsyn, ngjalli zemërim kombëtar.
Këngëtari i njohur Dimach Koudaibergen, me 3,8 milionë abonentë në Instagram, pohoi se përgjegjësit e kësaj drame “vuajnë dënimin në një burg pa ngrohje” dhe kështu paguajnë “lotët e nënave të mbetura në rrugë”.
– Sistemi që daton nga Hrushovi –
I përballur me pakënaqësi në rrjetet sociale, presidenti Kassym-Jomart Tokayev, i cili pothuajse u rrëzua pothuajse një vit më parë nga trazirat vdekjeprurëse, shkarkoi guvernatorin lokal dhe dërgoi disa zyrtarë të lartë në vendngjarje.
Ngrohës dhe batanije u dërguan nga i gjithë Kazakistani.
Dhe madje edhe në Kirgistanin fqinj, ku situata energjetike nuk është më e lakmueshme, janë mbledhur fonde në mbështetje.
Ky episod i shtohet një liste tashmë të gjatë të aksidenteve në infrastrukturën termike në Kazakistan, një vend pesë herë më i madh se Franca.
“Hera e parë është një rastësi, e dyta një rastësi dhe e treta rregull”, tha Jakyp Khairouchev, një inxhinier elektrik dhe menaxher biznesi.
I trashëguar nga Bashkimi Sovjetik, sistemi energjetik mbetet i rrënuar, pavarësisht investimeve. Sipas qeverisë, mosha mesatare e termocentraleve është 61 vjeç, e cila i referohet një kohe kur Nikita Hrushovi sundonte BRSS.
Sipas Khairouchev, “më shumë se 1 000 mbyllje emergjente të termocentraleve u bënë në vitin 2022, pra gati 75 000 orë”.
Presidenti Tokayev shprehu keqardhjen që Kazakistani, i pasur me hidrokarbure, është “një nga vendet me energji më intensive në botë” dhe duhet të importojë energji elektrike, veçanërisht nga Rusia.
– Kriptovalutat –
Por, kjo rritje e mprehtë e konsumit të energjisë çon në një rreth vicioz, sepse për ta përmbushur atë, fabrikat duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë, gjë që rrit rrezikun e aksidenteve.
Sipas Khairouchev, shpërthimi në vitet e fundit në Kazakistan i minierave të kriptomonedhave, me kompjuterë shumë të etur për energji, ka rritur presionin mbi sistemin.
I detyruar të reagojë, Tokayev tani thotë se po shqyrton shtetëzimin e aseteve të caktuara, 22 nga 37 termocentralet që i përkasin sektorit privat.
Dhe nëse qeveria ia vuri fajin pronarit të termocentralit ”Ekibastouz”, oligarkut Alexander Klebanov, njeriu i 15-të më i pasur në Kazakistan sipas ”Forbes”, ai ia ktheu përgjigjen menjëherë.
Klebanov ka siguruar se “tashmë ka alarmuar qeverinë për mospërfitueshmërinë e uzinës” dhe “pamundësia e rritjes së tarifave”, është përgjegjësi e qeverisë.
Për Khairouchev, “pa masa urgjente, siç është rritja e çmimeve, fatkeqësisht, ky lloj aksidenti nuk do të jetë i pazakontë”.
”Në pritje të ndërtimit të termocentraleve të reja, veçanërisht nëpërmjet partneriteteve me vendet e huaja, nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të mjaftohemi me mjetet në dispozicion për të kaluar dimrin”, thekson ai./ (Nga Bruno Kalouaz dhe Dana Rysmukhamedova).
Ndaje me miqte