0030 210 33 18 483

Zgjedhjet greke, në 9 prill?...

TV TRIBUNA 28 Shkurt 2023

Sipas të gjitha gjasave, data e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi do të shpallet të premten.

Kështu ka lënë të kuptohet të martën zëdhënësi i qeverisë, Janis Oikonomou, i pyetur ndër të tjera, nëse mbledhja e qeverisë atë ditë do të jetë e fundit para zgjedhjeve.

“Në mbledhjen e këshillit të ministrave të së premtes do të merrni përgjigje për të gjitha pyetjet”.

Tashmë të gjitha skenarët kanë fiksuar si datë të mbajtjes së zgjedhjeve të dielën e 9 prillit.

Edhe pse kushtetuta ofron mundësinë që parlamenti të funksionojë deri në 15 mars, është marrë vendimi që shpërndarja e parlamentit të bëhet pesë ditë më herët, pra në 10 mars.

Normalisht, zgjedhjet e radhës në Greqi duhej të mbaheshin diku nga data 10 korrik, kështu që në një farë mënyre ato tashme konsiderohen si të parakohshme.

Kushtetuta greke parashikon që në rastin e shpërndarjes së parakohshme të parlamentit, kryeministri duhet ta argumentojë kërkesën e vet me një problem kombëtar me rëndësi të veçantë.

Sipas burimeve mediatike që nuk janë përgënjeshtruar, kryeministri Mitsotakis do të kërkojë zgjedhje për të rifreskuar mandatin, me qëllim përballimin e sfidave të ekonomisë.

Kujtojmë se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është artikuluar para një muaji nga ana e partisë më të madhe opozitare, e cila madje ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në votimet parlamentare.

Gjithsesi, zgjedhjet e 9 prillit nuk pritet të nxjerrin një forcë maxhoritare, të aftë që të krijojë qeveri.

Kështu që një muaj më vonë do të duhet të mbahen zgjedhjet e dyta, që do të zhvillohen me sistemin proporcional të përforcuar, sipas ligjit që votoi Demokracia e re menjëherë pas ardhjes në pushtet në vitin 2019.

Ndaje me miqte