Zgjedhjet, Meta flet për komplot ndërkombëtar
Zeri i Amerikes
02 Korrik 2019
Në Shqipëri presidenti Ilir Meta u shfaq sot përpara publikut duke folur më tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadave perëndimore që sipas tij po e mbështesin atë. Ndërsa hodhi akuza për manipulime në zgjedhjet e 30 Qershorit, ai u pozicionua hapur kundër njohjes së tyre, ndërsa përsëriti se ai ka dekretuar datën 13 tetor për mbajtjen e tyre. Sipas presidentit Meta, më 30 qershor ishte evituar një kurth dhe një komplot që synonte përplasjen civile.
“Turp e skandal, as 10 përqind nuk kanë marrë, le të mbushin kuti tërë ditën me organizatën socialiste në KQZ, me Kolegjin socialist. Kjo tregon se çfarë Reforme në Drejtësi po bën, nga Reformë e ka bërë Ramaformë. Këto janë gjëra të turpshme e skandaloze që nuk mund të ndodhin në një shtet të së drejtës e që do të anëtarësohet në BE”, u shpreh sot presidenti Ilir Meta duke komentuar zgjedhjet e dy ditëve më parë.
Por për të, e vetmja datë ligjore për zgjedhjet e pushtetit vendor mbetet ajo e dekretuar prej tij më 13 tetor, pasi më parë anulloi 30 qershorin: “Zgjedhjet janë më 13 tetor. Dekretin e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Prandaj gjithë këto pallavra, KQZ-ra, rezoluta të Kuvendit socialist me opozitën e re të skandalit të Unazës së re, dhe me Kolegjin socialist, nuk ka njeri që mund të vërë në diskutim këtë gjë, duhet të jemi krejtësisht të qartë. Dhe do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin””
Kreu i Shtetit duket se nuk e ka gëlltitur dot faktin që komuniteti ndërkombëtar i mëshoi mosndryshimit të datës së zgjedhjeve: “Nuk kanë hallin e precedentit, kanë hallin e eksperimentit që duan të bëjnë me Shqipërinë”
Ai u shfaq sot me një propozim të ri, mbajtjen në 13 tetor si të zgjedhjeve vendore, ashtu dhe të atyre të përgjithshme si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri të vendit. “Unë do kandidoj si president, me këto kompetenca dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që nuk më duan mua, të vënë kandidat këtë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidhe këtë krizë të tmershme të përfaqësimit që të mos na ndodh sërish 2 korriku”, u shpreh ai.
Zoti Meta nuk dha ndonjë shpjegim se si mund të shkohej te ky propozim i tij, kur të paktën për zgjedhjen e presidentit do të duhet të ndryshohet kushtetuta, por u mjaftua të thoshte se ai po bënte propozimin e tij dhe se ishte i gatshëm të dëgjonte dhe propozime të tjera: “Nëse ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë që flet për dialog, por nxit sherr në Shqipëri, ta bëjë. ta dëgjojmë. Asnjë propozim që dhunon parimet e shtetit të së drejtës unë nuk e pranoj. I kërkoj zotit Rama të tregohet serioz e i përgjegjshëm. I ftoj dhe përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, se jemi vend i Natos, kemi 10 vjet, të mos tallen me kushtetutën tonë”.
Në qendër të kritikave të forta të zotit Meta dukej se ishte kryesisht ambasada amerikane, por dhe Delegacioni i Bashkimit europian, ndërsa u shpreh se përgjegjës për krizën nuk është vetëm kryeministri edi Rama por “dhe ata që e nxisin në këtë rrugë të konfliktit dhe të instalimit praktikisht të një junte që ka asgjësuar cdo praim të shtetit të së drejtës, që kërkon të asgjësojë çdo institucion dhe kërkon të nxjerrë Shqiperinë nga rruga e integrimit europian”
Duke theksuar se ai nuk do të lejojë që Shqipëria “të kthehet në një koloni të pastrimit të parave”, “bazë operacionale të krimit të organizuar”, apo një vend që të krijojë problem në Ballkan “mua më ka kundër si President i Shqipërisë, dhe si qytetari, Ilir Meta. Kjo duhet të jetë e qartë”. Kreu i Shtetit u duk se e kishte sërish me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtarë kur u shpreh se “është mirë që të mos e provojë askush kokëfortësinë time për të mbrojtur interesat e vendit tim. Eshtë mirë. Se nuk jam vetëm, se janë shumë shqiptarë që do të bëjnë çdo gjë për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe demokracinë. Rrugë për në Korenë e Veriut, Shqipëria nuk ka përë të bërë e kishte 40 e ca vjet”.
Por përveç sulmeve ndaj komunitetit ndërkombëtar, zoti Meta kishte një mesazh dhe për multimiliarderin George Soros i cili, sic ai la të kuptohej, qëndronte pas “një kurthi dhe komploti të kurdisur prej kohësh të ushqyer me çdo kusht dhe çdo cmim përplasjen civile në 30 Qershor”. “T’i gëzojë ato miliardat e veta. Shqipëria - shtoi ai - me të vërtetë është një vend i vogël për përmasat e tij. Të vazhdojë të punojë të investojë në tregje të mëdha. Ilir Meta nuk është i rracës së Gruevskit, është president i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Eshtë i rracës së Avni Rustemit dhe disa të tjerëve si Mic Sokoli, Vojo Kushi e të tjerë”.
Zoti Meta dhe më parë, ka akuzuar Sorosin për ndikim në Reformën në Drejtësi, ndaj zbatimit të së cilës ai sërish foli me tone të forta kritike: "Ramaforma është një kombinim i tiranisë personale të një regjenti të një fondacioni botëror. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë gjë".
Ndaje me miqte