0030 210 33 18 483

Zjarr i madh në afërsi të Athinës. Çfarë parashikohet për nesër

TV TRIBUNA 12 Gusht 2019

Banorët e Athinës janë alarmuar për shkak të një zjarri të madh që shpërtheu rreth orës 3,30 pas mesnate.

Flakët, që arritën në 20 metra lartësi, përfshinë shumë shpejt një pjesë të malit Ymitos, në lindje të kryeqytetit.

Për fat, reagimi i autoriteteve raportohet se ishte i menjëhershëm dhe deri në orët e para të mëngjesit arritën ta kufizonin perimetrin e zjarrit, duke shmangur përhapjen e flakëve në një zonë më të gjerë.

Në zonat e banuara që ishin më afër vatrës së zjarrit u bë evakuimi i banorëve, ndërkohë që në operacionin e përballimit të situatës operuan 10 avionë dhe helikopterë, 46 mjete dhe rreth 150 zjarrfikës.

Megjithatë, dy banesa raportohet se janë djegur dhe disa të tjera janë dëmtuar rëndë, ndërsa nuk ka të lënduar.

Për disa orë u ndërpre qarkullimi në autostradën që lidh Athinën me aeroportin ndërkombëtar Eleftherios Venizelos.

Deri në orën 8,30 të mëngjesit të së hënës situata ishte më e vështirë në zonën ku ngrihet parku i antenave ritransmetuese radiotelevizive.

Kjo ka sjellë si rezultat që stacionet radiofonike të Athinës, të ndërpresin transmetimin në sistemin analog.

Në fundjavë në gjithë Greqinë u shënuan 122 zjarre, disa prej të cilave po vazhdojnë.

Shërbimi i mbrojtjes civile ka paralajmëruar se edhe gjatë së martës, 13 gusht, rreziku i zjarreve është mjaft i lartë, thuajse në gjithë vendin.

Zonat me rrezikshmërinë më të lartë për të martën

- Attika

- Maqedonia Lindore dhe Thraka (Evros, Samothraki)

- Egjeu Verior (Limnos)

- Peloponezi (Korinth, Argolida)

- Greqia Qendrore (Evia, Skyros, Viotia, Fthiotida)

- Thesalia (Sporades).

Ndaje me miqte