0030 210 33 18 483

Zjarri në traget, pasagjerët të sigurtë, nuk ka të lënduar

Tribuna TV 29 Gusht 2018

Në portin e Pireut zjarrfikësit po vazhdonin edhe në orën 10 të paradites së të mërkurës, përpjekjet për të shuajtur zjarrin që kishte shpërthyer pas mesnate në tragetin “Eleftherios Venizelos”.

Trageti ishte nisur mbrëmjen e të martës nga Pireu për në Hania, por ndërsa po lundronte në det të hapur, rreth orës 23,45 shpërtheu zjarr në garazhin 3 dhe trageti u detyrua të kthehej për në Pireu, ku mbërriti rreth orës 04,00 të së mërkurës.

875 pasagjerët zbritën pa probleme dhe u sistemuan në hotele në afërsi të portit.

Mes pasagjerëve ka edhe shumë shqiptarë, kryesisht familje që jetojnë e punojnë në Kretë dhe që po ktheheshin nga pushimet në atdhe.

10 mjete zjarrfikëse me 40 efektiva, si dhe dy grupe të forcave speciale morën pjesë në operacionin për vënien e zjarrit nën kontroll, e për t’i neutralizuar të gjitha vatrat.

Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit dhe autoritetet po kryejnë hetimet përkatëse.

Kompania që ka në pronësi tragetin, ANEK Lines, publikoi një njoftim për shtyp mbi ngjarjen, ku thuhet:

“Më datë 28.08 rreth orës 23,45 shpërtheu zjarr në garazhin 3 ku ndodhen furgonat, në tragetin Eleftherios Venizelos që bënte itinerarin Pire – Hania.

Mjetet zjarrfikëse të anijes funksionuan menjëherë dhe zjarri u vu nën kontroll nga ekuipazhi. Anija u kthye vetë në Pire.

Të gjithë pasagjerët zbritën me siguri dhe kompania po kujdeset që t’iu shërbejë për nevojat emergjente si dhe për vazhdimin e udhëtimit të tyre.

Për çdo informacion, pasagjerët mund të komunikojnë në numrat e telefonit: 210 4197470 dhe 210 4197420”, përfundon njoftimi i kompanisë.

Ndaje me miqte