Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për "kërcënimin"? rus
ATSH
03 Gusht 2018
UASHINGTON, 3 gusht /ATSH-AFP/ – Disa zyrtarë të lartë amerikanë, nga kreu i shërbimeve sekrete tek drejtori i FBI akuzuan Rusinë për vazhdimin e përpjekjeve për të dobësuar dhe ndarë SHBA-në.
Njëri pas tjetrit, ata morën fjalën para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, një spektakël solemn që bën kontrast me atë të konferencës për shtyp të presidentit amerikan përkrah homologut rus më 16 korrik në Helsinki, pas të cilës Donald Trump u kritikua nga të gjitha palët pasi u tregua shumë paqësor ndaj Vladimir Putin.
Ndërkohë që Rusia është akuzuar nga shërbimet sekrete amerikane për ndërhyrje gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, që e sollën në pushtet, Trump dukej në fakt se e kishte përjashtuar Moskën duke shkaktuar indinjatë deri në kampin republikan.
Në mitingun në Pensilvani dje në mbrëmje, Donald Trump e ka cilësuar edhe njëherë idenë për një ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale si mashtrim.
Kontrasti është sërish flagrant mes kësaj deklarate, të bërë para mbështetësve të tij dhe solemnitetit të konferencës për shtyp të mbajtur nga zyrtarët e lartë amerikanë, që prej Shtëpisë së Bardhë, vetëm disa orë para.
Rusia po vazhdon përpjekjet për të dobësuar dhe ndarë SHBA-në duke ndërhyrë në procesin zgjedhor amerikan dhe në debatin politik, ka akuzuar kreu i shërbimeve sekrete, Dan Coats.
“Kërcënimi është real. Ai vazhdon. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të pasur zgjedhje, në të cilat amerikanët mund të kenë besim”, shtoi ai disa muaj nga zgjedhjet parlamentare të mesit të mandatit në muajin nëntor.
“Ky është një kërcënim që duhet marrë shumë seriozisht”, paralajmëroi Christopher Wray, kreu i policisë federale (FBI).
“Është e rëndësishme të kuptojmë se nuk bëhet fjalë thjesht për një kërcënim të lidhur me procesin zgjedhor. Kundërshtarët tanë po përpiqen të sabotojnë vendin në mënyrë të vazhdueshme”, nënvizoi ai.
Ndaje me miqte